Blog

1-Vjetori i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare

Me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës, në datë 18.11.2020 u mbajt ceremonia e festimit ku morën pjesë mbi 120 të ftuar nga vendi dhe vende të ndryshme të botës që e ndoqën ceremoninë online.

Aktiviteti u hap me fjalën e kryetarit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Ardian Lekaj, i cili falënderoi gjithë pjesëmarrësit që u bashkuan për të kujtuar këtë 1 vjetor të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Lekaj surprizoi me dhënien e çmimit “Vizioni i Diasporës” drejtuar Ministrit të Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, për të vlerësuar kontributin e tij në hedhjen e themeleve të shëndosha dhe vizionin e bashkëpunimit të diasporës me vendin e origjinës.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, falënderoi z. Lekaj për vlerësimin dhe ftesën në 1-vjetorin e Dhomës së Biznesit të Diasporës. “Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është një nga projektet më ambicioze që kemi nxitur në këtë periudhe dhe në një vit i ka dhënë sinjalet se është një strukturë serioze .Uroj Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare për 1- vjetorin duke mos u zgjatur me fjalë të tepërta në pozitën e të bërit politikën e ditës dhe vetëm kaq. “Ju jeni më shumë se politika e ditës”- tha në fjalën e tij përshëndetëse ministri i shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko.

Aktiviteti vazhdoi me një video mesazh nga Presidenti i Nderit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, z. Lazim Destani. “Kemi kaluar një vit të vështirë me shumë sfida dhe të papritura, e megjithatë puna jonë nuk ka ndalur për asnjë moment me qëllimin e vetëm për të çuar përpara misionin që ka Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare. Jemi me plot shpresa për të bërë punë të mira, për të realizuar investime dhe për të hapur vende të reja pune. Më lejoni dhe një herë, që me rastin e përvjetorit të parë të Dhomës, t’ju përcjell urimet e mia më të mira me dëshirën e madhe që përvjetorët e ardhshëm të na gjejnë me suksese gjithnjë e më të mëdha”- tha në fjalën e tij përshëndetëse z. Destani.

Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Lekaj, nëpërmjet një video prezantimi dha mesazhin e qartë se rrethanat na detyrojnë të ndryshojmë mënyrat e zgjedhura për të përmbushur synimet tona por nuk munden t’i ndryshojnë këto të fundit.

Aktiviteti u përshëndet nga disa anëtarë të Dhomës së Biznesit të Diasporës. z.Lekaj mbylli aktivitetin duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit me mesazhin “Së bashku do të realizojmë projekte të mëdha!”