Dhoma e Biznesit të Diasporës synon të luajë një rol efektiv në mbrojtje të interesave dhe objektivave të anëtarëve të saj. Dhoma e Biznesit të Diasporës zotëron kordinimin e duhur me institucionet publike dhe synon ti përgjigjet kërkesave të anëtarëve të saj nëpërmjet shërbimeve dhe ofrimit të informcionit. Lobimi dhe advokimi për një mjedis ekonomik dinamik dhe ndërveprues janë ndër aktivitetet kryesore të Dhomës së Biznesit të Diasporës. Ajo synon të përmirësojë cilësinë e këshillimit ndaj anëtarëve të saj dhe të nxisë advokimin bazuar në transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Nëpërmjet angazhimit aktiv në advokim, Dhoma e Biznesit të Diasporës synon të rrisë profilin e saj midis institucioneve politik bërëse dhe të përforcojë reputacionin në komunitetin e biznesit. Ne besojmë se fokusimi në çështjet të cilat janë në koherencë me misionin e Dhomës dhe transparencën në komunikim përbëjnë çelësin për një advokim të sukseshëm në biznes.

Dhoma e Biznesit të Diasporës është e pjesë e tryezave ndërinstitucionale në fushën e investimeve dhe klimës së biznesit. Prej disa muajsh, Dhoma e Biznesit të Diasporës është pjesë e Këshillit të Investimeve, një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur mirëqeverisjen.

Dhoma e Biznesit të Diasporës është në kordinim të drejtëpërdrejtë me dy institucione publike të specializuara në shërbim të investitorëve dhe biznesit, Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA). Nëpërmjet Memorandumit të Bashkëpunimit nënshkruar mes palëve, AIDA dhe ADISA do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve teknike për shtimin e shërbimeve të ofruara nga Dhoma e Biznesit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre.