Blog

Dhoma e Biznesit të Diasporës bashkon Dhomat e rajonit

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, Fondi i Zhvillimit të Diasporës në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme një aktivitet ku u prezantua puna e deritanishme e këtij organizimi dedikuar plotësisht sipërmarrjes shqiptare në Diasporë. Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarë dhe përfaqësuese të komunitetit të biznesit si brenda po ashtu edhe jashtë vendit, përfaqësues të institucioneve të tjera të angazhuara me çështjet e Diasporës dhe Investimeve si dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, zoti Eduart Shalsi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Kryetari i Odës Ekonomike së Maqedonisë Veriperëndimore Nebi Hoxha, përfaqësues i dhomës së Biznesit Shqiptaro-Turke Erion Cerekja, përfaqësues nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë etj.

Ministri i Shtetit për Diasporën në fjalën e tij tha se Diaspora shqiptare është burimi kryesor i stabilitetit ekonomik në Shqipëri dhe se së shpejti do të jetë pjesë e votës politike në vend.
“Aktiviteti i sotëm ka një kuptim të veçantë për marrëdhënien e biznesit sot në Shqipëri. Tërmetet dhe emergjenca virusale e ka goditur ekonominë e vendit. Kjo është një kohë e vështirë ku virusi po sëmur ekonominë më shumë se sa njerëzit. Aktualisht më shumë se fjalët sot marrëdhënies me biznesin i duhet përkrahja dhe partneriteti”, u shpreh ai.

Dhoma e Biznesit të Diasporës përfaqëson një iniciativë midis përfaqësuesve të Diasporës dhe angazhimit të qeverisë. Ajo ka filluar si një projekt 3 vjeçar i Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës dhe falë angazhimit të protagonistëve të saj ka një aktivitet ku shpejtësia po bëhet cilësi.
Shpresoj që Dhoma e Biznesit të Diasporës të jetë provë e të kundërtës. Pas krijimit të saj, Dhoma e Biznesit të Diasporës u bë anëtare e Komitetit të Investimeve. Nga dje, janë mbyllur procedurat e nevojshme për anëtarësimin e saj në Unionin e Dhomave të Biznesit. Besoj se është një rast i veçantë fakti i bashkëpunimit të saj me agjencitë e shërbimeve dhe investimeve, ADISA dhe AIDA.

Jam shpresëplotë për Projektin “Connect-Albania” i cili po zhvillohet pranë Dhomës së Biznesit të Diasporës. Ai ka nisur falë ndihmës së Zyrës së IOM në Tiranë dhe Cooperacion Italia. Ky projekt do të nxisë dhe financojë ndërmjetësimin e përfaqësuesve të diasporës për sjelljen në Shqipëri të investimeve të huaja. Ky është një mekanizëm që flet pa fjalë për rëndësinë e faktorit diasporë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Janë qindra milionë dollarë remitanca të Diasporës shqiptare që vijnë drejt vendit tonë ende të pa organizuara. Ato më së shumti, sipas statistikave shpenzohen për ndërtim shtëpie, shëndetësi apo arsimim. Koha është për të menduar pa shumë premtime për një mënyrë tjetër të menaxhimit të tyre. Presioni i krizës së emergjencës globale po ushtrohet në ekonomi. Janë kohë të zgjedhjeve për të gjetur zgjidhje.

Diaspora shqiptare është dhe do të mbetet burimi kryesor i stabilitetit ekonomik të Shqipërisë. Ajo do të jetë, së shpejti, pjesë e votës politike në vend. Në çdo bashki të vendit pas ndryshimeve ligjore do të fillojë ngritja e strukturave administrative të veçanta për diasporën dhe migracionin. Të dashur miq Optimizmi në kohët e sotme quhet retorikë. Për rastin e marrëdhënies së re shtetërore të Shqipërisë me diasporën ndryshimi po vjen si një provë ballafaqimi.

Ai do tregojë se shteti ynë e meriton diasporën që ka. Besnikëria e saj ndaj vendit është një marrëdhënie e pakushtëzuar dashurie për atdheun. Shqipëria ka mbi gjysmë milioni shtetas me pasaportën e Bashkimit Europian. Kjo “matematikë” është shprehje e faktit se integrimi europian nuk është vetëm një çështje politike por interes kombëtar. Marrëdhënia me diasporën ka kërkuar një bashkëpunim të veçantë me Kosovën fqinje me të cilën kemi firmosur disa marrëveshje dypalëshe. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim po zhvillohet edhe fqinjët e tjerë. Veçanti ka Italia dhe Greqia ku është vendosur pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.Më lejoni të shpreh kënaqësinë për aktivitetin e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Rrjeti i interesave të saj do të shtrihet në një zonë ku politika nuk bën shumë punë. Ajo që ka rëndësi është që politika të mos bëhet “kosto” e shtuar e një pune që diaspora do ta bëjë, në çdo rast dhe me çdo parti në pushtet. Kjo punë e ka emrin, Shqipëri” tha në fjalën e tij ministri Majko.
Ndërsa Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës z. Ardian Lekaj bëri një prezantim të plotë të objektivave dhe qëllimeve Dhomës.

Duke prezantuar filozofinë e punë së Dhomës së Biznesit të Diasporës, Lekaj e vuri theksin te potenciali i madh i Shqipërisë për investime si dhe bashkëpunimin për krijimin e një rrjeti të sipërmarrësve shqiptarë në Diasporë.
“Së bashku me dhomat e tjera si motra në rajon Dhoma e Biznesit të Diasporës do të jetë një urë lidhëse dhe një pik takimi për të gjithë biznesmenët dhe sipëmarësit shqiptar” u shpreh ai
Gjatë mbrëmjes u shfaq edhe një video mesazh nga një prej anëtarëve më të rinj Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, kompania Van Oord, e cila është një kontraktues detar global, e përqendruar në gërmime, infrastrukturën tokësore në Hollandë, era në det të hapur dhe infrastruktura e naftës dhe gazit. Një kompani holandeze në pronësi të familjes me 150 vjet përvojë.Gjithashtu u prezantuan edhe dy histori suksesi të sipërmarrësve shqiptar, “Dupi Frut” dhe “Komiteti Kafe Muzeum”.
Dupi Frut përfaqësohej nga Altin Dupi i cili shpjegoi në detaje aktivitetin me të cilin ai merret, ku ka të bëjë me prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e hudhrës.
Ndërsa “Komiteti Kafe Mezeum” përfaqësohej nga Arbër Çepani i cili u shpreh se tetë vite më parë kur fillimisht kishte vendosur që të merrej me tregtimin e rakisë ishte një bast për të, por një bast që ja ka vlejtur.

Support