Blog

Dhoma e Biznesit të Diasporës zhvillon panairin virtual për të promovuar traditën artizanale!

Dhoma e Biznesit për Diasporën me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizoi sot panairin virtual me produkte artizanale shqiptare. Një nderim që i bëhet artit të zejes, por mbi të gjitha një stendë globale ku çdo shqiptar kudo që ndodhet në botë, pa qene nevoja të udhëtojë, të njihet me këtë pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare.

“Një panair i organizuar për të rikthyer në vëmendje vlerat e traditës sonë shqiptare, në mënyrë që këto vlera të mbeten pjesë e kulturës dhe traditave tona”, u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Biznesit të Diasporës z.Durim Tabaku.

Kryetari i Dhomës z,Ardian Lekaj theksoi rëndësinë e punëve artizanale si pjesë identifikuese e shqiptarëve në botë: “Është kënaqësi e veçantë të jesh pjesë e një panairi virtual të artizanatit shqiptar. Një punë e shkëlqyer e stafit të Dhomës në bashkëpunim me ministrinë Kulturës. Askush nga ne që jeta na përcolli në rrugët e botës nuk i harron prodhimet artizanale. Çdo kush nga ne në Diasporë kur bien në kontakt me produkte të tilla nuk kursehet për ti treguar brezave të rinj, ne mburremi me produktet tona dhe kudo që ndodhemi jemi krenar për shijen apo cilësinë e produkteve tona, Ndaj ne si Dhomë Biznesi në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, menduam pse jo të mos organizojmë një projekt të tillë që ngjall ndjesinë e krenarisë së produkteve tonë dhe si një mundësi e madhe për artizanatin shqiptar. Sot puna e dorës është shumë e kërkuar, ndaj vlera në treg do të vij në rritje. Ne do punojmë që së bashku të gjejmë mundësi për tregje të reja”, u shpreh Lekaj.

E pranishme në panairin virtual ishte edhe znj.Elisabeta Katiaj, Kryetare e Unionit të Sipërmarrësve të rinj e cili u shpreh e gatshme për bashkëpunime mes palëve: “Është bukur kur shikon se në këtë event janë përfshirë sipërmarrës të rinj, të cilët I dedikohen punëve artizanale. Ne si Unionin dëshirojmë të japim mbështetjen tonë dhe jemi gjithmonë të gatshëm të japim kontributin tonë. Produkt artizanale sigurisht janë të denja për tregun ndërkombëtarë.”

Besard Cerhozi, aministrator i shoqatës TID Krujë, drejtues i Antikuare Cerhozi administron një ndër pazaret më të veçantë të Ballkanit, jo vetëm të Shqipërisë, atë të Krujës që përfaqëson një sërë produktesh artizanale dhe theksoi nevojën për organizimin e panaireve me prani, përpos përqafimit të nismës për një panair virtual.

Eduart Gjopalaj, artist i drurit nga Diaspora solli historinë e tij mbresëlënëse, një emigrant i larguar në moshën 14 vjeçare që nuk hoqi dorë nga pasioni i tij për artin dhe sot drejton me sukses tre njësi shitje të punimeve artistike në Greqi. “Kam emigruar në Greqi në moshën 14 vjeç dhe si çdo emigrant kisha shumë vështirësi. Rastësisht nisa punë si marangoz dhe aty ishte kontakti im i parë me drurin. Në pamundësi për të nisur një shkollë, nisa vetë të merrem me gdhendje dhe tani pas shumë pune dhe vështirësive e kam gjetur veten në zanatin e gdhendjes. Me një punim live të Nënë Terezës kam prezantuar Shqipërinë në Los Anxhelos dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur, sepse kishte pjesëmarrës nga 90 vende të botës dhe Nënë Terezën e njihnin të gjithë. Me shumë punë dhe vullnet arrita që ta kthej pasionin tim për artin në një punë fitimprurëse.”

Luftim Xhelollari gjithashtu jeton në Greqi dhe prej 10 vitesh merret me skulpturë dhe gdhendjen e gurit. “Babai im merrej me gurë dhe unë fillimisht kisha qef pikturën, më pas pasi u mora dhe me gurin më lindi pasioni edhe për skulpturën. Puna e gurit sigurisht është e vështirë. Karantinën unë e shfrytëzova për të realizuar një punë që kisha vite që e mendoja, realizova një shqiponjë.

Joana Dhiamandi vazhdon me pasion e të atit: “Fusha që unë prezantoj është punimi artistik në xham. Im atë ka qenë i fokusuar në punimit e xhamit ndër vite dhe unë e kam trashëguar nga ai, pavarësisht se me profesion jam arkitekte.”

Post a comment