Blog

Diaspora nga “eksod i trurit” në “rrjetin e ekspertizës globale” në funksion të zhvillimit ekonomik dhe inovacionit

  • Nga Anila Hyka Smorgrav

Megjithëse vendi ka përjetuar gjatë 30 viteve të fundit një humbje të konsiderueshme të ekspertëve dhe intelektualëve, ana tjetër e medaljes është që Diaspora shqiptare sot numëron në gjirin e saj një gjeneratë më kapacitete të forta ekonomike, intelektuale dhe sociale. Pa u futur në shifra dhe statistika të ndryshme, të gjithë jemi koshiente se një përqindje mirë e popullsisë së Shqipërisë jetojnë jashtë vendit, ku në dy dekadat e fundit dominojnë të rinj në moshë shkollimi e pune. Nga këto, sot një numër i konsiderueshëm janë të diplomuar të nivelit të lartë me një diplomë bachelor ose një diplomë pasuniversitare, po aq mund të konsiderohen në numër ajo pjesë që janë drejtues ose profesionistë në sektor privat, apo mbajtja e pozicioneve të rëndësishme akademike ose kërkimore shkencore. Ndërkohë në Shqipëri kemi një ekonomi me indikatorë zhvillimi më të ulët ne rajon dhe numër më të lartë papunësie. Ka iniciativa Inovation të fragmentuara të orientuara kryesisht në “start-up” sipërmarrje që kanë si objektiv kryesor gjetjen e mundësive financiare për të transferuar biznesin në tregun e huaj. Por sa përqind e kësaj kategorie merr pjesë në programet për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik është pak e njohur. Pse i duhet vendit një zhvillim i inovacionit në një ekonomi që vazhdon të notojë për tre dekada në valët e tranzicionit post-komunist?

Vendet e Europës dhe vendet fqinjë kanë inovacionin si një nga indikatorët kryesor të zhvillimit ekonomik. Hapja e negociatave për në BE bën të domosdoshëm Inovacionin si një nga akset kryesore për reduktimin e hendekut me vendet e tjera, përfshire dhe fqinjët tanë. Shqipëria ka akoma një nivel të ulët produktesh konkurence në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar. Inovacioni është një faktor kyç për të rritur mundësitë e konkurrimit te produkteve dhe shërbimeve shqiptare në tregun ndërkombëtar. Inovacioni shërben për përmirësimin e produktivitetit, procedurave, thjeshtëzimit të sistemeve dhe kushteve të jetesës. Falë teknologjisë së avancuar dhe inovacionit shoqëria do të përfitojë transferim njohurish, rritje të aftësive profesionale, krijim ekspertizash të reja dhe tek e fundit një treg pune të qëndrueshme. Hendeku teknologjik në sistemin e edukimit publik në të gjitha nivelet, ka krijuar disnivele në shtresa te ndryshme të shoqërisë. Përfshirja e sistemit arsimor në zhvillimin inovacionit, rrit nivelin edukativ, përgatit bazën për një sistem arsimor konkurrues mes vendet e tjera. Cili duhet të jetë roli i Diasporës në zhvillimin ekonomik dhe inovacionit? Që të kemi një kontribut efikas të Diasporës në rritjen e qëndrueshme të zhvillimit ekonomik dhe inovacionit, duhet që ajo të jetë pjesëmarrëse në përcaktimin e “Strategjisë së Inovacionit dhe zhvillimit teknologjik të Shqipërisë për 10-20 vitet e ardhshme”. Kjo strategji duhet të adresojë katër aspekte kryesore: mobilizimin e talenteve, qeverisjen dhe përcaktimin e kuadrit rregullator, infrastrukturën dhe konkurrencën si dhe financimin dhe mbështetjen brenda dhe jashtë vendit.

Për implementimin e saj përveç strukturave të dedikuara shtetërore, duhet të lan çohen programe të ndryshme me partnerë të sektorit privat e akdemik si dhe organizma te tjerë ndërkombëtar, si: Krijimi i një platforme virtuale kushtuar inovacionit, me synimin për të krijuar një rrjet aktorësh të fushave të ndryshme në fushën e inovacionit si brenda dhe jashtë vendit. Një platformë e tille mund të jetë bazë informacioni për profesionistët mbi kompanitë, investimet dhe mundësitë e punës si dhe mund të shërbejë si tryeze për krijimin e partneriteteve midis aktorëve ekonomike, universiteteve dhe me Diasporën. Krijimi i platformave dhe infrastrukturës teknologjike për zhvillimin e start-up, stimulimit të iniciativave inovative të sipërmarrësve, laboratorëve në shkolla dhe nxitjen e bashkëpunimit me botën e biznesit. Të tilla mekanizma do të rrisin mundësinë e shumë të rinjve të talentuar të arsimuar në universitetet perëndimore të kthehen në shtëpi, duke sjellë jo vetëm njohuri por dhe kontakte të reja të cilat kthehen në një potencial të madh në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Lançim nismash për të inkurajuar Diasporën të përfshihet drejtpërdrejt në strategjinë e zhvillimit të Shqipërisë si: Program të Mobilizimit të kompetencave adresuar profesionistëve të gatshëm të ndajnë ekspertizën, përvojën dhe njohuritë e tyre për të mirën e zhvillimit të vendit të tyre; “Diaspora Investon“, me qëllim të tërheqë investime për kompani shqiptare; Promovimi i “succes story” të bashkëpunimit të grupeve të Diasporës me vendas.

Është momenti kritik për Shqipërinë ta kthejë këtë “eksod të trurit” në “përthithje ose shkëmbim të trurit”, pasi Diaspora mund të luaj një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë përmes promovimit të investimeve të huaja, krijimit të bizneseve ose nxitjen sipërmarrësve ekzistues, transferimit të njohurive dhe aftësi të reja dhe zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit.