Blog

“E ardhmja është origjina”, prezantohet platforma online: rrenjetemia.al !

Dhoma e Biznesit të Diasporës (DHBD), në kuadër të zbatimit të Projektit “Rrënjët e mia-Kulturë 360”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në përgjigje të thirrjes për projekte kulturore, 2021 “E ardhmja është origjina”, prezanton platformën online: rrenjetemia.al dedikuar promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare nëpërmjet dimensioneve të reja të komunikimit, prezantimit dhe ekspozimit që ofron teknologjia e informacionit.

Kjo platformë, krahas informacionit rreth llojeve kryesore të zejtarisë, mënyrave të rijetësimit të zejtarive në zhdukje, është një risi për nga ndërtimi dhe organizimi struktural, sepse ofron hapësirë ekspozimi, promovimi të krijimtarisë së çdo artisti apo sipërmarrësi zejtar, profesionist apo amator, pa asnjë barrierë gjeografike.

Aktivitetet si “Panairi virtual” apo krijimi i markës “Rrënjët e mia”, si përfaqësuese e artit tradicional që na bashkon, kanë si qëllim të minimizojnë dhe të zbehin distancat fizike të krijuara në kushtet e pandemisë Covid-19, të gjallërojnë krijimtarinë artistike, kryesisht atë tradicionale, të krijojnë një mjedis promovues dhe bashkëpunues midis bizneseve të artizanatit vendas dhe atyre në diasporë, të evidentojnë fuqinë e artizanatit shqiptar për të sfiduar kohën dhe ruajtur origjinalitetin pavarësisht rrethanave si edhe të nxisin përfshirjen e brezave të rinj në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave tradicionale të origjinës së tyre përtej kufijve gjeografikë. Ftohen të gjithë artizanët vendas dhe ata në diasporë, të cilët kanë trashëguar, ruajtur, kultivuar artistikisht zanatin nga vendi i origjinës dhe mbartur atë edhe në shoqëritë pritëse ku ata jetojnë, të bëhen pjesë aktive e këtij projekti duke u anëtarësuar dhe krijuar profilet individuale me hapësirën promocionale, dedikuar shpalosjes së vlerave të krijimtarisë së tyre artistike tradicionale.

Vizitoni platformën rrenjetemia.al për më shumë informacion dhe bëhuni pjesë aktive e rrjetit më të ri të promovimit të artizanatit tradicional shqiptar.

Post a comment