Blog

Fillon punën Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

Tashmë të gjithë sipërmarrësit shqiptarë në botë kanë një pikë takimi të përbashkët në Shqipëri, Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare, një institucion i cili ka për qëllim krijimin e një rrjeti bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe investitorëve shqiptarë. Ky institucion synon të krijojë një ambient të përshtatshëm për një bashkëpunim ekonomik mbarëshqiptar, nëpërmjet nxitjes së investimeve direkte dhe partneriteteve, ofrimit të informacionit të detajuar për të nxitur dhe orientuar sipërmarrjet dhe kapitalin investues të Diasporës në ekonominë e vendit.
Gjatë ceremonisë së hapjes ishte i pranishëm Presidenti i Nderit i Dhomës z. Lazim Destani, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit duke vlerësuar nismën e ndërmarrë për hapjen e kësaj Dhome, si një mundësi të bashkëpunimit mes të gjithë sipërmarrësve të Diasporës.
Ndërsa kryetari i Dhomës së Biznesit z. Ardian Lekaj u shpreh se: “Kjo dhomë si një strukturë e re e krijuar do të jetë një ndihmë dhe mbështetje për gjithësecilin sipërmarrës shqiptar nga Diaspora, për të lehtësuar procesin e investimit të tyre në Shqipëri”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri Majko tha se “Krijimi i Dhomës së Biznesit të Diasporës është shumë me rëndësi në afrimin sipërmarrësve shqiptar me vendin tyre të origjinës, me qëllim që ata të sjellin eksperiencën dhe përvojën e biznesit nga bota perëndimore, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të këtij vendi”.

Në ceremoninë e inaugurimit u prezantua edhe projekti i parë i dhomës, “Connect Albania” i cili parashikon krijimin e një njësie brenda Dhomës së Tregtisë së Diasporës, me një grup profesionistësh që do të marrin informacionin e plotë në lidhje me procedurat e investimeve në Shqipëri, fushat prioritare të investimeve dhe do të lehtësojnë dhe koordinojnë të gjitha hapat dhe procedurat e investimeve të kërkuara mbështetur nga IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS).

Support