Blog

Fillon funksionimin “Rrjeti i Profesionistëve të Diasporës”

Drejtoresha Ekzekutive e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, znj. Blerina Turdiu, së bashku me Koordinatoren e Dhomës së Biznesit të Diasporës, znj. Linda Dervishaj, kanë prezantuar për televizionin A2 CNN, më datë 8 korrik 2020, dy produktet e fundit të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës: Platforma “Rrjeti i Profesionistëve të Diasporës” dhe Platforma “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare”.

Drejtoresha Ekzekutive e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, znj. Blerina Turdiu, ka bërë të ditur për publikun lajmin e lançimit të Platformës “Rrjeti i Profesionistëve” në kuadër të projektit Diaspora për Zhvillim. Znj. Turdiu ka prezantruar Platformën si një hapësirë që mbështet dhe nxit zhvillimin e Shqipërisë, duke vepruar si urë lidhëse për Diasporën me anë të shkëmbimit të informacioneve dhe përfshirjes së ekspertizës të anëtarëve të komunitetit profesional të Diasporës. Ajo i është referuar misionit madhor të “Rrjetit të Profesionistëve” për t’i shërbyer identifikimit të kapitalit njerëzor në Diasporë, si një vlerë e shtuar për zhvillimin socio-ekonomik dhe kulturor të vendit.

Gjatë bisedës është folur dhe mbi publikimin e Platformës  “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare” dhe misionin e saj në ruajtjen dhe gjallërimin e memories kolektive kulturore me anë të letërsisë.  Znj. Turdiu është shprehur se informacion më i plotë mbi këtë produkt me rëndësi të veçantë do të mundësohet në një moment të dytë.