Blog

Investimet nordike në Shqipëri, bregdeti atraksioni kryesor

Për kreun e “NordicInvestGroup” Bujar Zhuri legjislacioni shqiptar ka bërë përmirësime në strategjitë për thithjen e investitorëve të huaj por ka ende shumë punë për të bërë

Bujar Zhuri është një prej shqiptarëve më të suksesshëm në Norvegji. Me një eksperiencë më shumë se 25 vjeçare në botën e biznesit ndërkombëtar, prej disa vitesh tashmë ka kthyer vëmendjen drejt vendlindjes, duke mundësuar implementimin e projekteve të ndryshme ndërkombëtare në vendin tonë.

Në krye të kompanisë “NordicInvestGroup”, tashmë Anëtar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare ai thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë strukturë kyçe për bashkimin e investitorëve, biznesmenëve dhe sipërmarrësve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Zhuri ju jeni një nga të parët anëtarë të Dhomës së Biznesit të Diasporës. Sa i rëndësishëm është për ju anëtarësimi në një strukturë të tillë të dedikuar plotësisht investitorëve, biznesmenëve, sipërmarrësve shqiptarë në Diasporë?

Mendoj se anëtarësimi në këtë strukturë është shume i rëndësishëm për faktin se nëpërmjet kësaj strukture investitorët shqiptar, jo vetëm do të rrisin mundësitë e bashkëpunimit me njeri-tjetrin, por edhe do te informohen më mirë për legjislacionin dhe mundësitë e investimeve në vendlindje.

Ju jeni vendosur në Norvegji rreth 26 vite më parë. Fusha juaj e studimeve ka qene shumë larg botës së biznesit, si u përfshitë ju në biznes?

Unë kam mbaruar disa universitete. Kam studiuar kryesisht mësuesi, juridik dhe me tej kam shume kualifikime në pedagogji e psikologji. Kam punuar mësues në shkolla norvegjeze mbi 14 vjet dhe në 2007 ndryshova profil.

Duke parë zhvillimet në rajon, sidomos ato në Slloveni e Kroaci mendova të promovoja Shqipërinë në një nga mediat më të mëdha në Norvegji. Bashkëpunova me gazetën “Aftenposten” e cila botoi shkrimin “Shqipëria si një mundësi e mirë investimi”. Pas publikimit shumë vendas më shkruajtën, kishin shumë interes për Shqipërinë dhe donin të dinin më shumë.

Duke parë këtë interes të madhe së bashku me disa miq të mi norvegjez hapëm një kompani konsulence dhe investimesh, nëpërmjet të cilës arritëm të sillnim grupin e parë të investitorëve norvegjez në Shqipëri, një grup prej 32 investitorësh.

Qëllimi im ishte të shndërroja qytetet e Sarandës dhe Vlorës në një oaz skandinavesh. Nuk ishte e lehtë, por gjithsesi qëllimin e arritëm. Sot mund të themi se këto dy qytete bregdetare janë destinacioni i preferuar i turisteve nordik. Madje mund të them se vetëm në Sarande rreth 600 norvegjezë kanë investuar në pasuri të paluajtshme, apartamente.

Por ky ishte vetëm fillimi. Ju keni arritur të sillni në Shqipëri edhe investitorë të përmasave ndërkombëtare

Paralelisht arritëm të sjellim një nga projektet më të mëdha që ka Shqipëria aktualisht, kompaninë “Statkraft” me projektin e Devollit. Një kompani që ka investuar mbi një miliard dollar investime në Shqipëri. Ky është një sukses shumë i madh për mua. Gjithashtu mund të them se sot jemi krenar që kemi sjelle qindra norvegjeze e skandinavë që kanë blerë shtëpi në Sarandë, Vlorë apo Durrës.

Për shoqëritë nordike shpesh ekziston mendimi se është e vështirë integrimi, dhe aq më tepër arritja e sukseseve në fusha kaq konkurruese si biznesi. Cili është sekreti i suksesit në rastin tuaj?

Sigurisht që nuk është e lehtë ti bindësh e ti sjellësh në Shqipëri investitorët norvegjez apo skandinave. Por ajo çka është më e rëndësishme është profesionalizmi dhe aftësitë për të treguar realitetin, me të mirat dhe të këqijat që ka Shqipëria.

Pas “Statkraft”, çfarë shikoni si hap të radhës?

Po punoj për të realizuar një projekt të madh në bujqësi, që përsëri do të jetë projekt dhe investim norvegjez prej disa milionë euro për prodhim dhe eksport në vendet e BE-së. Kompania ime është partnere në këtë investim me një grup shumë të fuqishëm investitorësh norvegjeze që kane shumë ferma nëpër botë.

Sot jemi tre dekada pas valës më të madhe të emigracionit që përjetoi Shqipëria. Shumë prej atyre që lanë vendin në vitet ‘90 janë aktualisht, sikurse edhe ju, sipërmarrës të rëndësishëm në vendet ku jetojnë. Kjo kategori shi sipërmarrës të tjerë të vendosur më herë në Diasporë janë organizuar në struktura të mirëfillta si Unioni Global i Bizneseve të Diasporës, pjesë e të cilit jeni edhe ju. A mund të themi se në këtë komunitet ka nisur të flitet për vendlindjen, për të investuar?

Patjetër që po. Ky është edhe qëllimi i ngritjes së Unionit Global të Bizneseve të Diasporës.

Cilët mendoni se janë sektorët më me potencial që përbëjnë interes për investitorët nga Diaspora?

Bregdeti dhe ndërtimet në bregdet, përbëjnë potencialin më të madh dhe sigurisht interesin me të madh të investitorëve të Diasporës.

Sa i takon praktikave për hapjen e një biznesi këtu, ngritjen e një investimi apo krijimin e një bashkëpunimi më sipërmarrës të huaj. A mendoni se sistemi aktual është efikas?

Mendoj që legjislacioni shqiptar ka bërë përmirësime duke iu afruar standardeve të BE-së. Ajo çka lë shumë për të dëshiruar është administrata dhe sjellja e saj ndaj investitorëve të huaj. Këtu duhet ndërhyrje urgjentisht, kjo për të përmirësuar klimën dhe imazhin e vendit.

Dhe në fund çfarë do ti thoni një sipërmarrësi/ biznesmeni/ investitori shqiptar brenda dhe jashtë vendit që dëshiron të bëhet pjesë e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare por ende nuk ka vendosur?

Anëtarësimi i biznesit pranë Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare duhet parë si një ure lidhjeje midis investitorëve vendas dhe atyre nga Diaspora.

Workshop-et e përbashkëta do të bënin edhe me interesant këtë bashkëpunim.

Support