0694245555  Rr. Ibrahim Rugova nr. 5,Sky Tower 13/3, Tiranë, Shqipëri

Koronavirusi, shoqëritë dhe ndikimi në ekonominë botërore

– Nga Ardian Lekaj

Sot COVID-19 ose koronavirus është shndërruar në kryefjalën e ditës në çdo vend të botës. Dhe nuk është çudi që të gjithë janë të përqëndruar tek kjo temë dhe kanë lënë pas dore tema të tjera që janë deçizive për realitetin ekonomik, shoqëror e politik të Europës dhe të botës, siç është Brexit, situata në Iran/Irak, refugjatët sirianë, konflikti në kufirin Turko-Grek për të përmendur disa.
Brexit i kushton taksapaguesve anglezë rreth 5 miliardë € sipas statistikave të NAO (National Audit Office). Që në tetor të vitit 2019 po punojnë rreth 22 mijë njerëz për këtë çështje, por askush nuk deklaron shifra transparente dhe të argumentuara për këtë proces të paprecendent dhe ndikimin e tij në ekonominë britanike.

Sigurisht është akoma herët për të thënë se sa do të jetë ndikimi i koronavirusit në ekonominë botërore, por le të marrim vetëm një shembull të dhënë nga IATA (International Air Transport Association) e cila parashikon një humbje 56 deri në 101 miliard euro vetëm për sektorin e fluturimeve. Numri i rezervimeve ka rënë me 50-60 % . Nuk dihet se si do ta përballojnë këtë situatë kompanitë e fluturimeve që kanë kohë që dihet se kanë probleme si “Alitalia” apo “Norwegian Air”.
Nga SARS pati një tkurrje në bursat botërore me rreth 40 miliardë $ por që nga ai moment ekonomia kineze u zhvillua nga vendi i 6 në vendin e dytë sot . Ekonomia kineze në 2003 përfaqësonte 4.2 % të ekonomisë botërore ndërsa sot 16.3 %.
Nga ana tjetër Kina që është aktualisht vendi më i prekur nga kjo pandemi, është më e fuqishme ekonomikisht sot se sa ishte në vitin 2003.
Të gjitha rregullat e reja që do të vendosin kundra coronavirusit do të shkaktojnë akoma më shumë dëme se virusi vetë. Të gjithë specialistët thonë që ky virus nuk është më i fortë se një grip e prapëseprapë po vihen kufizime të reja. Kjo padiskutim do të ndihet në xhepin e njerëzve. Pas një epidemie të tillë do të rritet papunësia, sëmundjet etj.
Coronavirusi është një problem biologjik, dhe jo një problem ekonomik. Sado para të hidhen në treg, nuk do të ndihmojnë situatën. Tregjet duhet të kuptojnë se situata ekonomike e krijuar nga pandemia nuk ndryshohet duke printuar para, ky është një proces psikologjik që ndoshta do të sjellë një krizë shumë të madhe dhe do te shkaktojë shumë humbje .
Por çfarë mund të bëjmë ne si komunitet biznesi përpara një situate të tillë?
Disa gjëra të vogla por që në fund mund të bëjnë një diferencë të madhe:
Sot më shumë së kurrë duhet të jemi të përgjegjshëm për punën tonë, por mbi të gjitha për shëndetin dhe kujdesin ndaj klientëve.
Të gjithë administratorët e hoteleve pa asnjë hezitim duhet të inspektojnë imtësisht çdo ambient të hotelit, restoranti barit etj, dhe të deklarojnë në mënyrë vullnetare nëse ambienti është i kontaminuar.
Inspektorët që kontrollojnë bizneset duhet të çertifikohen si të shëndetshëm dhe të paprekur nga virusi.
Të mundësohet shërbimi i mjekut të lëvizshëm pranë institucioneve apo kompanive të ndryshme.
Punëmarrësit ti jepet e drejta të deklarohet në gjendje të mirë shëndetësore edhe pa paraqitur raportim mjekësor.
Ne si Dhomë e Biznesit e Diasporës Shqiptare do të përpiqemi që të krijojmë një rrjet me sipërmarrës nëpër botë, për të menaxhuar kërkesat e tregut që me siguri do të lindin. Si dhe do të kërkohet bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë për të financuar tregun e importeve për produktet imediate apo siç quhen ndryshe të shportës dhe ato të mbrojtjes imediate.
Katër muaj më parë, pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit, shqiptarët kudo në botë treguan se dinë të mbështesin njëri-tjetrin në vështirësi. Sprova e dytë për ne erdhi shumë shpejt, por edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku.

*Autori është kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare

No Posts Found!