Blog

“MendjeArtët 2020”

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Unioni i Sipërmarrësve të Rinj të Shqipërisë organizuan aktivitetin “MendjeArtët 2020”, një event i cili kishte për qëllim nxitjen dhe motivimin e sipërmarrësve të rinj që prodhojnë produkte dhe shërbime në Shqipëri dhe më gjerë.
Këta sipërmarrës të rinj në moshë, me iniciativën dhe punën e tyre kanë arritur të bëhen konkurrentë të denjë dhe të sfidojnë të mëdhenjtë e botës së biznesit.

Një nga prioritete dhe sfidat e tyre është edhe hedhja në treg e produkteve inovative dhe cilësore “Made in Albania”. Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, z.Ardian Lekaj tha se kjo iniciativë do të vijojë edhe më tej. “Dhoma e Biznesit të Diasporës është një urë lidhëse për individët që kanë “mendjen e artë” me sipërmarrësit shqiptarë kudo në botë në mënyrë që ata të gjejnë një mundësi në çdo vend ku ndodhen shqiptarët”.

Aktiviteti “MendjeArtët 2020”, përveçse një diskutim i hapur rreth sfidave me të cila përballen të rinjtë në botën e biznesit ishte dhe një moment vlerësimi për arritjet e këtyre sipërmarrësve të rinj, të cilëve ju ndanë edhe disa çmime inovative. Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Z. Ardian Lekaj gjatë aktiviteti i dorëzoi çmimin “MëndjeArtët e Diasporës” Z. Kledis Panajot Rumi, Anëtar i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe Znj. Migena Gjerazi, sipërmarrëse e suksesshme në Shqipëri dhe Diasporë.