Blog

Mesazhi i Kryetarit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare në përfundim të një viti të “pazakontë”!

Të dashur bashkatdhetarë,

Nëpërmjet këtij mesazhi dua të shpreh mirënjohjen time për te gjithë mbështetjen tuaj që na keni dhënë si Dhomë e Biznesit të Diasporës Shqiptare gjatë këtij viti, si dhe të ndaj me ju parashikimet e mia për të ardhmen.

Sëbashku me kryesinë, stafin, anëtarët e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Ministrin e Shtetit për Diasporën, këtë vit punuam për ndërtimin e strukturave të funksionimit, në mënyrë që ndërtimi i urave lidhëse midis Diasporës dhe vendit amë të ketë një bazament solid për të ardhmen.

Në asnjë çast nuk e konsideruam pandeminë si një pengesë për rrugëtimin tonë dhe organizuam mbi 50 takime, kryesisht online. Këtë periudhë e shfrytëzuam për tu njohur me njëri-tjetrin, për të diskutuar për mundësitë ekzistuese dhe për të arkitektuar hapat tanë drejt së ardhmes. Shembuj fare të qartë të punës sonë ishin:

Anëtarësimi i mbi 120 bizneseve, krijimi i aleancave të punës, njohja dhe bashkëpunimi me Odat e Rajonit, bashkëpunime konkrete me bizneset, mbështetja e sipërmarrësve të rinj, pjesëmarrje në promovime të ndryshme e deri tek mbështetja ekonomike me produkte ushqimore të familjeve dhe pensionistëve në nevojë, dhurimi i tabletave nëpër shkolla, i testeve të Covid-19, shpërndarjen e maskave të dhuruara nga miqtë dashamirës të Diasporës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Gjatë kësaj periudhe 1 vjeçare u pa qartë se ne si Dhomë e Biznesit te Diasporës Shqiptare kemi një vizion largpamës dhe jemi rezistentë ndaj situatave si tërmeti apo pandemia. Kjo rezistencë u bë e mundshme vetëm në sajë të bashkëpunimit të afërt me anëtarët, partnerët dhe institucionet shtetërore. Këta na dhanë kurajo, mendime, mbështetje dhe ngrohtësi. Unë besoj tek mundësitë e pashterueshme që ka diaspora shqiptare dhe nuk jam aspak ëndërrimtar për këtë.

Duke parë të ardhmen me pozitivitet dhe në emër të të gjithë skuadrës së Dhomës së Biznesit te Diasporës Shqiptare dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ju që besuat tek ne dhe na mbështet në 2020. Rrugëtimi ynë si ndërtues të urave lidhëse midis Diasporës Shqiptare kudo që ndodhet në Botë dhe vendit amë sapo ka filluar. Të jesh anëtar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare nuk është vetëm pasion dhe dashuri për vendin tënd, por edhe privilegj dhe përgjegjësi.

Dhe së fundi marr mundësinë t’ju dërgoj urimet më të përzemërta për Ju dhe të gjithë të dashurit tuaj, kalofshi një periudhë të këndshme festive këtë fundvit.

Ardian Lekaj,

Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare

Post a comment