Blog

Programi Connect Albania

Programi Connect Albania ka si mision të nxisë angazhimin e Diasporës Shqiptare në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë duke shërbyer si një platformë ndërmjetësuese për nxitjen dhe hyrjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Organizata Zbatuese e Programit CA është IOM për kohën e zbatimit të projektit “Përfshirja e Diasporës Shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë”.

Struktura e  Programit Connect Albania përbëhet  nga Komiteti Drejtues, Njësia Connect Albania, Zyra e Programit Connect Albania dhe Agjentët e Zhvillimit, të cilët u shërbejnë Investitorëve Potencialë nga Diaspora Shqiptare ose të huaj.

Ҫdo individ nga Diaspora Shqiptare, i cili plotëson kriteret e mëposhtme mund të bëhet Agjent Zhvillimi për të ndërmjetësuar investimet e huaja në Shqipëri. Individi i cili aplikon për të marrë statusin e Agjentit të Zhvillimit i Interesuar duhet të jetë jo më pak se 18 vjeç, të ketë leje qëndrimi jashtë Republikës së Shqipërisë për të paktën 5 (pesë) vjet dhe të kenë përfunduar të paktën arsimin e mesëm. Nëpërmjet Platfomës https://www.adbc.al/support-page/login pranë Zyrës së Programit Connect Albania,  këta individë duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas Rregullores së Programit, e cila është e publikuar në faqen e Programit Connect Albania https://www.adbc.al/rregullorja-e-programit-connect-albania.

Agjent Zhvillimi i Interesuar është çdo individ nga Diaspora Shqiptare i cili pajiset me certifikatë nga Njësia Connect Albania për ushtrimin e ndërmjetësimit të investimeve nga Diaspora Shqiptare dhe Investitorëve Potencialë të huaj dhe shtetit shqiptar. “Agjent Zhvillimi i Suksesshëm” është titull i miratuar nga Njësia Connect Albania, i cili jepet bazuar në realizimin me sukses të investimit të ndërmjetësuar nga Agjenti i Zhvillimit i Interesuar përkatës. Në  përputhje me rrethanat, për investimet e suksesshme në Shqipëri dhe të cilat punësojnë punëmarrës shqiptarë, çdo Agjent Zhvillimi i Suksesshëm merr bonus nga Njësia Connect Albania sipas përcaktimeve të Rregullores së Programit Connect Albania.

Programi Connect Albania mban Regjistrin e Agjentëve të Zhvillimit të Interesuar i cili bëhet publik dhe i vihet në dispozicion Investitorëve Potencialë të huaj të cilët dëshirojnë të investojnë në Shqipëri nëpërmjet ndërmjetësimit të Agjentëve të Zhvillimit. Agjenti i Zhvillimit, pavarësisht nëse është certifikuar vetëm si Agjent Zhvillimi i Interesuar apo ka marrë titullin Agjent Zhvillimi i Suksesshëm, ka për detyrë që të organizojë kontaktet me individë, sipërmarrës e shoqëri të huaja, të cilët shfaqin interes për të investuar, për t’u zgjeruar në tregun shqiptar, si dhe të sigurojë informacionin dhe dokumentet e nevojshme në këtë proces deri në regjistrimin e biznesit përkatës në Shqipëri. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ligjore midis Agjentit të Zhvillimit të Interesuar dhe Investitorit Potencial ndërtohen në mbrojtje të informacionit dhe të dhënave, si dhe duke respektuar rregullat  per shmangien e konfliktit të interesit dhe të praktikave anti-korrupsion.

Connect Albania u prezantua me datë 18 Dhjetor 2020 dhe, tashmë, ka filluar rrugëtimin duke trajtuar kërkesat e individëve nga Diaspora Shqiptare për t’u certifikuar si Agjent Zhvillimi dhe për të ndërmjetësuar investimet e huaja në Shqipëri.

Programi i Diasporës i IOM Shqipëri (Agjencia e OKB-së për Migracionin) financohet nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe realizohet në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (nëpërmjet Agjensisë për Investimet Direkte në Shqipëri (AIDA)), si dhe Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) në Tiranë.