Blog

Shega, mrekullia mesdhetare që nuk njeh kufij në përsosmëri / Demonstrim në terren nga Eksperti Bujqësor z.Loriano Dalle Nogare

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me AIC (Shoqata e Kultivuesve Italiane) – në kuadër të fazës së tretë të zbatimit të Projektit “Angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, financuar nga IOM – sjellin në Shqipëri një nga ekspertët më të mirënjohur Italian të fruti-kulturës, Loriano Dalle Nogare, në një demonstrim 2-ditor në terren për fermerët shqiptarë të shegës. Dalle Nogare ka lindur në 24 prill 1952 në Marostica të Venetos, ndër rajonet me traditë bujqësore më të konsoliduar në Itali. Pas mbarimit të studimeve për agronom është certifikuar nga Instituti Shtetëror Teknik për Bujqësinë si Ekspert Agrar i profilizuar në fruti-kultur. Gjatë gjithë karrierës së tij profesionale, Dalle Nogare është orientuar nga parimet e mbrojtjes së integruar dhe biologjike të kulturave bujqësore.Loriano Dalle Nogare ka qenë pjesë e stafeve akademike në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, përpilimin e disertacioneve shkencore për bujqësinë dhe lektor në kurse profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare duke fituar një reputacion të lartë. Hulumtimi dhe dokumentimi i përvojës shumëvjeçare profesionale në kultivimin e fruti-kulturave në të gjitha fazat e zhvillimit duke nisur nga mbjellja, sistemet mbështetëse dhe mbrojtja aktive kundër kushteve atmosferike (breshëri, erërave dhe ngricave), rrjetat e insekteve, menaxhimi i formimit dhe mbarështimit të frutave të shegës, mollës, dardhës, frutave me bërthame (pjeshkë, kajsi kumbulle) si edhe kivit, e ka konfirmuar Loriani Dalle Nogare si ekspert të fruti-kulturës dhe një trajnues në terren mjaft efiçent. Interesi dhe përkushtimi i Dalle Nogare është shtrirë edhe në sistemet e prodhimit të biomasës së drurit të cilat përbëjnë një nga praktikat më të ndjeshme të standardeve mjedisore në përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Gjithashtu, Loriano Dalle Nogare prej shumë vitesh ofron kontributin e tij në formimin profesional të fermerëve nëpërmjet kurseve trajnuese në terren të organizuara nga Kolegji Ndërkrahinor “Forte Mezzacapo” në zonën bujqësore të Zelarinos që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Venetos. Dalle Nogare ka ofruar asistencë shkencore profesionale në përpilimin e studimeve referuar çështjeve mjedisore, mbrojtjen e të lashtave, agrikulturën biologjike dhe arkitekturën e peizazhit.Trajnimi në terren do të zhvillohet në dt. 22-23 shtator 2021 në plantacionet e shegës të kultivuesve shqiptarë, “G & E Fruits” në Cërrik të Elbasanit (22 shtator) dhe “Ermir Ylviu” me 23 ha të varietetit Jolly Red në Okshtun të Rrogozhinës (23 shtator).Në platformën diasporanameson.al do të pasqyrohet informacion i plotë audio-vizual rreth teknikave, metodave, mjeteve më të përparuara dhe kujdesin e duhur që duhet të aplikojë çdo fermer për arritjen e prodhimtarisë cilësore dhe afatgjatë në kultivimin e shegës.

Post a comment