Blog

Shqipëria, CEFTA-s dhe krijimi i një zone të tregtisë së lirë

Në kuadër të integrimit rajonal, Shqipëria fillimisht u përfshi në marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë me vende të rajonit, të cilat konvergjuan në marrëveshjen CEFTA 2006, e nënshkruar në 19 dhjetor 2006, në Bukuresht, Rumani. Qëllimi kryesor i CEFTA-s ishte krijimi i një zone të tregtisë së lirë midis vendeve nënshkruese, ccka nënkuptonte zgjerimin dhe përshpejtimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, tërheqjen dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte, eleminimin e barrierave në tregtinë ndërmjet palëve, harmonizimin e rregullave të konkurrencës, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe integrimin e rajonit në tregtinë globale. Procesi i integrimit rajonal në kuadrin e CEFTA, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për vendet anëtare dhe për rajonin në tërësi, funksionon edhe si një urë lidhëse që përshpejton edhe integrimin evropian të secilit nga vendet anëtare. Anëtare të CEFTA 2006 janë: Shqipëria, Bosnie dhe Herzegovina, Maqedonia e Veriut, Mal i Zi, Serbia, Kosova dhe Moldavia.

 

Në 1 janar 2019, Shqipëria mori kryesinë e CEFTA. Komuniteti i Biznesit e cilësoi këtë mundësi si një avantazh për të influencuar më shumë në eleminimin dhe zbutjen e barrierave tregtare, kryesisht atyre jotarifore mes vendeve anëtare, me impakt nxitjen e tregtisë rajonale. Rreth 25% e tregtisë së CEFTA-s është tregti ndër-rajonale dhe rreth 75% për pjesën tjetër të botës, kryesisht për tregjet në BE. Statistikat në 2019 tregojnë se shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe vendeve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e 750 milion euro, në të cilat pesha e importeve arrin në 40 % dhe e eksporteve në 60 %. Trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare në vitet 2014-2018 ka pësuar një rritje të përvitshme mesatare në nivelin prej 6%.

Gjatë javës së CEFTA në dhjetor 2019 në Tiranë, Komisioni Europian firmosi Grantin prej 10 mln Euro për anëtarët e CEFTA, me qëllim nxitjen e mëtejshme të integrimit ekonomik rajonal. Objektivi kryesor i Grantit qëndron në suportimin e agjendës së CEFTA  në tregtinë e të mirave dhe shërbimeve si dhe e-commerce, duke ndihmuar në nxitjen e integrimit ekonomik rajonal. Gjate viteve 2020-2023, ky projekt do të mbeshtesë më shumë se 1200 SME në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të përmirësuar potencialet për eksport, hyrjen në tregje të reja, tërheqjen e investimeve të huaja.

Support