Blog

Takimi i Mjekësisë në Diasporë

Aktiviteti me temë “Takimi i Mjekësisë në Diasporë” u organizua nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës në Tiranë më 20 Shkurt 2020.

Qëllimi i këtij organizimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit me Diasporën shqiptare, promovimi i vlerave të saj në fushën e shëndetësisë dhe nxitja e bashkëpunimit midis mjekëve në Diasporë dhe mjekëve në Shqipëri, lidhur me shkëmbimin e eksperiencave dhe arritjeve në fushën e shëndetësisë.
Diskutimet për këtë temë u zhvilluan në dy panele, përkatësisht: “Politikat dhe programet e punësimit në sektorin e shëndetësisë” dhe “Inovacionet në shëndetësinë shqiptare dhe raste suksesi”.

Në këtë takim morrën pjesë profesionistë mjekësorë, mjekë shqiptarë me veprimtari profesionale në Diasporë dhe në Shqipëri si dhe mjekë nga Diaspora që janë rikthyer në vendin e origjinës.
Ministri i Shtetit për Diasporën, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë që ka Diaspora shkencore në zhvillimin e vendit.
Ky aktivitet u përkrah edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, e cila vlerësoi rikthimin e disa prej mjekëve në Shqipëri për të kontribuar në vendin e tyre me patriotizëm dhe sakrificë.
Pjesëmarrës të tjerë me rëndësi në këtë takim ishin edhe dy personalitete të njohura të fushës së mjekësisë, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata dhe Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dr. Fatmir Brahimaj, të cilët e vunë theksin në rëndësinë që ka angazhimi i Diasporës shqiptare në veprimtarinë akademike, si në zbatimin e projekteve shkencore apo edhe në ofrimin e kurrikulave europiane.
Numri i pjesëmarrësve përllogaritet nga organizatorët e aktivitetit në rreth 120 të tillë, profesionistë mjekësorë, akademikë, studentë, etj.