Blog

Takimi midis Agjentëve të Zhvillimit dhe Zyrës së Programit Connect Albania

Në datën 18 Qershor 2021, Zyra e Programit të Connect Albania organozi një takim midis shtatë Agjentëve të Zhvillimit dhe konsulentëve të programit. Takimi pati si qëllim jo vetëm që të prezantonte Agjentët e Zhvillimit dhe të krijonte sinergji midis tyre për shkëmbimin e ideve por edhe për të diskutuar mbi përpjekjet e para që duhet të bëjnë për të tërhequr invetsitorë të huaj dhe nga Diaspora Shqiptare. Njëkohësisht ata u informuan për mekanizmin online të Connect Albania, i cili është plotësisht në dispozicion të tyre dhe do të shërbejë si një mjet i vlefshëm për të prezantuar mundësitë e invetsimit ndaj investitorëve të huaj në Itali.

Takimi u fokusua kryesisht në progresin e bërë dhe sfidat që shoqërojnë Agjentët e Zhvillimit në aktivitetet fillestare të tyre, mbështetja që mund të ofrohet për ta, rëndësia e krijimit të rrjetëzimit midis tyre, mënyrat alternative dhe inovative që përdoren për t’ju përqasur investitorëve dhe shfrytëzuar mundësitë që paraqiten.

Agjentët e Zhvillimit folën se si i kanë programuar aktivitetet e tyre bazuar në planet individuale të punës por edhe si do të përballen me sifdat tashmë të identifikuara prej tyre dhe do të lehtësojnë transferimin e njohurive dhe investimeve nga Italia në Shqipëri. Ata u shprehën që ekziton një interesim i madh nga ana e investitorëve rreth zhvillimeve ekonomike në Shqipëri dhe mundësive që ajo ofron në këtë drejtim. Në mënyrë më specifike, Agjentët e Zhvillimit do të përqendrojnë përpjekjet e tyre në ndryshimin dhe ngritjen e një imazhi të ri për Shqipërinë si një destinacion tërheqës për investime nëpërmjet promovimit të lehtësive, nxitjeve dhe kërkesave të reduktuara burokratike që ka tashmë Shqipëria.

Përfaqësuesit e Zyrës së Connect Albania dhe të Programit të Diasporës sollën detaje dhe dhanë orientime për pjesëmarrësit e pranishëm në takim. Ata i nxitën Agjentët e Zhvillimit që të identifikojnë dhe strukturojnë nevojat që kanë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur dhe ndihmuar me informacion Agjentët e Zhvillimit në proçesin e promovimit dhe negocimit me invetsitorët.

Nga të gjithë Agjentët e Zhvillimit pati një angazhim ndaj misionit te tyre, duke e parë këtë përfshirje jo thjesht si angazhim, por edhe si nje kontribut te Diasporës Shqiptare për progresin e Shqipërisë.

Mekanizmi Connect Albania është një pjesë e rëndësishme e programit “Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”. Ai synon të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Programi zbatohet nga Zyra në Shqipëri e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) – Agjencia e Migrimit e OKB-së, me financimin e Ministrisë Italiane për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Diasporën të Shqipërisë, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si edhe Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).